Raportohet për arrestimin e ndihmësit të Petkoviqit pas fjalimit kundër UÇK-së
Igor Popoviq, përfaqësues i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është arrestuar të premten nga Policia e Kosovës, pas një deklarimi që ka bërë në Rahovec kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raportojnë mediat në Kosovë.
Popoviq është ndihmës i Petar Petkoviqit, shefit të kësaj Zyre në Serbi.
Përgjatë deklarimit të tij, Popoviq e ka quajtur UÇK-në organizatë “terroriste”.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar konfirmim prej Policisë së Kosovës lidhur me raportimet për arrestim, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petkoviqit në Kosovë.
“Ky është mentaliteti i vartësve të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal”, kanë thënë këto organizata përmes një postimi në Facebook.
Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.