Dhjetëra persona dyshohet se kanë vdekur pas një shpërthimi në Zvicër
Dhjetëra persona dyshohet se kanë vdekur dhe afër 100 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi në një bar ku po festohej për Vitin e Ri në një resort luksoz të skijimit në Zvicër, bëri të ditur policia zvicerane më 1 janar.
Ministria e Jashtme e Italisë tha se informacionet nga policia zvicerane tregojnë për afër 40 të vdekur, por policia nuk ishte më specifike, duke përdorur shprehjen “dhjetëra” gjatë një konference për media lidhur me këtë ngjarje.
Zjarri shpërtheu në orën 01:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale, në një bar të quajtur “Le Constellation” në resortin në jugperëndim të Zvicrës.
Disa nga viktimat janë nga vende të tjera, tha Stephane Ganzer, shefi i sigurisë për kantonin Valais. Autoritetet njoftuan se janë mobilizuar dhjetë helikopterë dhe 40 autoambulanca.
Policia kishte thënë më herët se shumë persona po trajtoheshin për djegie. Shumica e të plagosurve janë në gjendje të rëndë, tha Mathias Reynard, kreu i qeverisë të kantonit. Njësia e kujdesit intensiv në spitalin e Valaisit është e mbushur dhe pacientët po transferohen diku tjetër, shtoi ai.
Zona është mbyllur plotësisht dhe mbi Crans-Montana është vendosur një zonë e ndalim-fluturimit, tha policia përmes një njoftimi.
Autoritetet zvicerane thanë se shkaku i shpërthimit mbetet i paqartë.
Prokurorja Beatrice Pilloud tha më vonë se shpërthimi po trajtohet si zjarr dhe jo si sulm, duke shtuar se autoritetet po përpiqen t’ua dorëzojnë trupat e viktimave familjeve të tyre.
