Shqipëri: Kuvendi shqyrton heqjen e imunitetit të Ballukut, PS-ja del kundër
Parlamenti i Shqipërisë i ka nisur të enjten diskutimet dhe do të votojë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Vendimi për heqjen e imunitetit kërkon shumicë të thjeshtë prej 71 votash, mirëpo Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në pushtet tashmë e ka bërë të ditur se do të votojë kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Kërkesa iu drejtua Kuvendit më 16 dhjetor të vitit të kaluar.
SPAK ka ngritur aktakuzë kundër Ballukut për “shkelje të barazisë me tenderë” në rastin që ka të bëjë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
Atëbotë, ajo e mbante pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Transportit dhe Energjetikës.
Balluku është nën hetime edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me disa projekte infrastrukturore në Tiranë.
Më 26 shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama e shkarkoi Ballukun nga postet qeveritare.
Partia Socialiste është kundër arrestimit të Ballukut, duke argumentuar se ajo nuk mund t'i prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK-it për ta hetuar atë është e hapur.
Partia Demokratike opozitare ka deklaruar se imuniteti nuk duhet të kthehet në mburojë apo pengesë për drejtësinë.
Ndërsa në Kuvend po mbahet seanca, jashtë tij janë mbledhur protestues të thirrur nga opozita. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Forca të shumta policie janë mbledhur para oborrit të Kuvendit për të mbikëqyrur situatën.
Prej kur SPAK-u ngriti aktakuzë kundër Ballukut, opozita ka zhvilluar disa protesta, në të cilat ka pasur tensione, dhunë dhe të lënduar, si nga ana e protestuesve, ashtu edhe nga ana e policisë.
Para se të niste seanca për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut, Ambasada britanike në Shqipëri theksoi rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore.
"Ekzekutivi, gjyqësori dhe legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet mes tjerash në deklaratë.
Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe synon të jetë pjesë e bllokut para vitit 2030.
