Deputetët s’arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as në tentimin e 34-t
Kjo është hera e 26-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.
Ata do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht të shtunën më 21 qershor.
LVV pret Kushtetuesen, partitë e tjera kërkojnë marrëveshje politikePas seancës, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje thanë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndryshimin e votimit për kryeparlamentar.
Albulena Haxhiu – kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare – tha se që pesë javë është dërguar lënda në Kushtetuese dhe Gjykata “është vonuar” që të nxjerr një vendim.
Ajo tha se çështja e parashtruar është “e thjeshtë” dhe se Kushtetuesja ose duhet të pranojë ta trajtojë çështjen ose ta shpallë të papranueshme.
Haxhiu shtoi se nëse partitë nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, atëherë vendi duhet të organizojë zgjedhje të reja. Por, për këtë po ashtu kërkohet që fillimisht Kuvendit të konstituohet.
Edhe Artan Abrashi nga kjo parti shprehu të njëjtin mendim.
Ai u pyet për kërkesën e partive të tjera që zhbllokimi i Kuvendit të bëhet përmes një marrëveshjeje politike, por ai tha se “inatet politike” po e mbajnë peng Kuvendin.
Duke komentuar një takim mes kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe atij të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Abrashi tha se takime të tilla nuk po kanë rezultate.
“Nëse ka rezultat [nga takimet e udhëheqësve politikë] është mirëmbajtja e bllokadës”, tha ai.
Limaj, para nisjes së seancës tha se takimi me Abdixhikun ishte “i mirë” dhe “shterues”, duke theksuar se me udhëheqësin e LDK-së ka biseduar për çështje politike, ekonomike, të sigurisë dhe për zhvillime në rajon dhe botë.
Limaj u shpreh se do të takohet sërish me Abdixhikun, por shtoi se bllokada në Kuvend “nuk zhbllokohet nëse nuk ka një marrëveshje politike”.
Lutfi Haziri nga LDK-ja insistoi në propozimin e paraqitur nga parti për një qeveri të unitetit. Ai tha se nga situata nuk mund të dilet pa një marrëveshje politike.
“Çështjet politike dhe zgjedhjet e organeve deri në konstituim, s’mund të zgjidhen me procedura, por me marrëveshje politike”, tha ai.
Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e mban “peng” vendin.
Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Ky subjekt insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr organin ligjvënës. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, duke kërkuar që partia e Albin Kurtit të ndryshojë kandidatin.
Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit – nga e hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Teksa vendi ka mbetur pa institucione të reja për mbi katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, së voni LDK-ja – që doli e treta në zgjedhje – ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.
Ky propozim është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Por, çështja nuk mund të kalojë te zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës pa u konstituar Kuvendi.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota – në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit.
Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje ligjvënësve që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja.