Agjencia për Verifikimin e Pronës përgënjeshtron Petkoviqin lidhur me një pronë në veri
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) i cilësoi si të pavërteta deklaratat e bëra nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, lidhur me një rast pronësor në veri të Kosovës.
Petkoviq më herët gjatë 23 korrikut tha se me urdhër të AKKVP-së, familja Janiçeviq, që sipas tij përbëhet nga një nënë vetëushqyese me dy fëmijë, u dëbuan një ditë më parë nga një banesë në Mitrovicë të Veriut, “të cilën ata e kanë blerë, por padrejtësisht u është marr nga një shqiptar”.
Ai tha se kjo familje e ka blerë këtë banesë dekada më parë nga ndërmarrja Trepça.
Por, AKKVP tha se prona në fjalë është e familjes së Ferik Shipolit. Ky rast pronësor, sipas agjencisë është trajtuar më 2005, “ku është vërtetuar se pala është poseduese e ligjshme e pronës”.
AKKVP tha se zbaton vendimet përfundimtare të institucioneve ligjore, duke shtuar se rikthimi i pronave bëhet përmes procedurave të rregullta ligjore “dhe zbatohet ndaj çdo uzurpimi të paligjshëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo statusit të palës”.
“Deklaratat e tilla si kjo e Petar Petkoviqit janë të papranueshme sepse nxisin tensione dhe minojnë sundimin e ligjit dhe bashkëjetesën”, u tha në reagimin e AKKVP-së, në të cilin është bashkëngjitur edhe kopja e një dokumenti të pronësi për banesën në fjalë.
Petkoviq, ndërkaq, pretendoi se me probleme të tilla përballen shumë serbë që jetojnë në veriun e Kosovës.
Çështja e rikthimit të pronave është problem me të cilin përballen shqiptarë e serbë që nga paslufta.
Shumë shqiptarë janë përballur me problemin e uzurpimit të pronave të tyre në veri, sikurse edhe serbët janë ankuar për uzurpime dhe shitje të paligjshme të pronave të tyre në pjesë të tjera të Kosovës.