IKSHPK-ja paralajmëron për të nxehtin e madh
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka paralajmëruar se temperaturat e larta të këtyre ditëvve “mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme”.
Për këtë arsye, IKSHPK-ja ka rekomanduar që të shmangen daljet gjatë orëve më të nxehta, pirjen e dy apo tre litrave ujë në ditë dhe mbajtjen e shtëpisë të freskët.
“Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”, thuhet në njoftimin e publikuar të shtunën nga IKSHPK-ja.
Në këtë njoftim gjithashtu rekomandohet që të mbahet kontakt i rregullt me personat e moshuar, sidomos ata me sëmundje kronike apo që jetojnë vetëm, dhe të shmanget ekspozimi i fëmijëve në diell nga ora 10:00 në orën 17:00.
Një ditë më parë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi se në Klinë ishte regjistruar temperatura rekorde prej 42.5 gradë Celcius. Kjo temperaturë, sipas Institutit, u regjistrua në orën 15:00.
“Sipas matjeve nga Rrjeti Shtetëror i Stacioneve Meteorologjike, sot në Kosovë janë shënuar vlera tejet të larta të temperaturave”, tha IHK-ja.
Sipas një harte të publikuar nga ky Institut, bazuar në temperaturat e regjistruara në orën 14:00 të 25 korrikut, edhe qytete kanë regjistruar temperatura të larta mbi 40 gradë Celsius: Hani i Elezit (41.1) Gjakova (40.7), Suhareka (40.4), Prizreni (40.3) dhe Rahoveci (40.2).
Si pasojë e motit të nxehtë që ka përfshirë Ballkanin, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci është raportuar për përhapje të zjarreve, pasi temperaturat në disa raste kanë shkuar në mbi 40 gradë Celsius.