IKSHPK-ja jep leje për rihapjen e pishinës së Gërmisë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë leje për rihapjen e pishinës së Gërmisë, pasi rezultatet e mostrave të ujit të marra në këtë pishinë tha se “rezultojnë brenda standardeve të parapara sipas rregullores për pishina”.
“Me qëllim te mbrojtjes së shëndetit publik, ekipet e departamentit të Ekologjisë Humane/IKSHPK do të vazhdojnë me monitorimin e ujit për pije dhe ujit në pishinën e Gërmisë”, u tha në njoftim.
Pishina e Gërmisë u mbyll përkohësisht më 24 korrik, pasi sipas mostrave të ujit të marra paraprakisht nuk plotësuan standardet.
Pas kësaj, IKSHPK-ja mori sërish mostra të cilat i analizoi.
Komuna e Prishtinës tha se shpreh shqetësim për “komunikimet publike të parakohshme, të cilat krijuan alarm dhe konfuzion publik, në një moment kur analizat zyrtare ende nuk ishin finalizuar”.
“Urojmë që praktika të tilla, që prekin drejtpërdrejt qytetarët, të shmangen në të ardhmen dhe çdo komunikim të bazohet vetëm në rezultate zyrtare përfundimtare nga institucionet përkatëse”, u tha në reagimin e Komunës së Prishtinës më 24 korrik.
Pishina e Gërmisë është hapur këtë vit më 8 korrik.