Aktakuzë për rrënimin e një objekti të trashëgimisë kulturore në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve në Prizren, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me rastin e rrënimit të një objekti që ishte në listën e trashëgimisë kulturore.
Vepra dyshohet se është kryer në periudhën 5 janar 2024 deri më 4 prill të po atij viti, kur sipas Prokurorisë, P.B., në cilësinë e drejtorit për urbanizëm dhe E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe me qëllim “i shkaktojnë dëm Ministrisë së Kulturës duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh.”.
Prokuroria pretendoi se drejtori i urbanizimit në Prizren e ka ditur se kompleksi “Saraji i vjetër” është në kuadër të mbrojtjes së përhershme kulturore, gjë që pamundëson rrënimin e tij, nuk e ka parandaluar shembjen e objektit.
Ndërkaq, E.Th., sipas Prokurorisë, ka lëshuar vendimin për rrënimin e objektit dhe më pas lejen që investitori A.Xh., të ndërtojë një kompleks banesor në vendin ku më parë gjendej objekti i mbrojtur.
Me këto veprime, Prokuroria tha se trashëgimisë kulturore i është shkaktuar “dëm i pariparueshëm” në vlerë prej gati 16 milionë eurosh.
Kompleksi “Saraji i vjetër” që i përkiste ishte futur në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përhershme në fillim të marsit të vitit 2024. Objekti u rrënua më 27 maj të po atij viti.
Po ashtu, në gusht të vitit të kaluar, ministri tashmë në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte dorëzuar kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, për rrënimin e kompleksit “Saraji i vjetër”.
Totaj, ndërkaq, kishte mohuar akuzat e Çekut se autoritetet komunale ishin fajtore për rrënimin e këtij kompleksi.