Prattipati: SHBA, e shqetësuar nga çdo përpjekje për ta kufizuar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka thënë të enjten se ia ka shprehur kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.
Duke folur për gazetarë pas një takimi me Kurtin në Prishtinë, Prattipati tha se bisedoi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje për veprimet që “ne kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të ardhshme”.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.
“Që të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”, tha ajo.
Nga 38 komuna sa ka Kosova, 10 prej tyre janë të banuara me shumicë serbe, kryesisht në veri dhe disa në pjesë të tjera të vendit.
Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.
“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.
Takimi i Prattipatit vjen një ditë pasi deputeti i Vetëvendosjes dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u shpreh se partitë tjera në vend kanë raporte të mira me partinë më të madhe të serbe në Kosovë - Lista Serbe - dhe se ato do të “kontribuojnë në certifikimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale”.
Takimi i Prattipatit me Kurtin vjen disa orë para takimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku pritet të shqyrtohet certifikimi i partive për pjesëmarrje në zgjedhje, mes tyre edhe i Listës Serbe.
Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.
Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.
Vetëvendosje e kishte arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, "Kosova dhe Metohia".
Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar më 2023.
Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.
Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.