Sveçla thotë se policia gjeti armë në pronën e njërit prej të akuzuarve për sulmin e Banjskës
Policia e Kosovës ka gjetur pajisje ushtarake dhe municion në pronën e njërit prej dhjetëra të akuzuarve për sulmin e armatosur kundër policisë në fshatin Banjskë në veri të vendit, tha të enjten ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Sveçla tha në llogarinë e vet në Facebook se armatimi është gjetur në në pronën e Nemanja Radivojeviqit, i njohur me nofkën “Gandi”.
“Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë”, shkroi Sveçla.
Radivojeviqi është njëri nga 45 të akuzuarit për sulmin vdekjeprurës të Banjskës.
Më herët, Policia e Kosovës tha se njësia e hetimeve Stacionit Policor Zveçan ka hasur në një rimorkio ku gjeti “dy thasë me uniforma, jelekë antiplumbë, pesë karikatorë të AK-47 me municion dhe pajisje tjera ushtarake”.
Po ashtu janë konfiskuar rroba të tjera ushtarake, përfshirë edhe një uniformë kamofluese.
“Nuk ka persona të arrestuar dhe dyshohet se këto armë i përkisnin një personi të dyshimtë, i cili tashmë është në kërkim për rastin Banjska”, tha Policia, duke shtuar se ky rast është nën hetim.
Më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast. Aktualisht, gjykimi po zhvillohet ndaj tre të akuzuarve. Ndërkaq, Radoiçiq dhe 41 të tjerë të akuzuar për këtë rast ndodhen në arrati. Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi.
Sveçla tha se për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta të dyshuarit për sulmin në Banjskë, ata mbeten rrezik i drejtpërdrejtë për Kosovën.
“Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Ndryshe, autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.