Добавить новость
smi24.net
World News in Albanian
Сентябрь
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25
26
27
28
29
30

Gjermania përgënjeshtron Listën Serbe për integrimin e institucioneve

0

Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgënjeshtruar deklaratat e Listës Serbe lidhur me integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në sistemin e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rohde tha se deklarata e bërë një ditë më parë nga Lista Serbe se integrimi i këtyre institucioneve nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë negociate apo marrëveshje, “thjesht nuk është e vërtetë”.

“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013 përfshiu gjashtë pika për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq në marrëveshjen e fundit të Ohrit lidhur me udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 2013 qartë thuhet se integrimi i këtyre institucioneve në sistemin e Kosovës do të bëhet nën patronazhin e Asociacionit”, tha Rohde.

Sipas Rohdes, interpretime të tilla “me kaq dykuptimësi” të dokumenteve ndërkombëtare, që janë ligjërisht të detyrueshme “shtojnë tensionet, nënjë kohë kaq të ndjeshme para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, kur komunitetet lokale serbe pritet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.

“Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklaratat e tilla arbitrare, dashakeqe që mund të dëmtojnë proceset demokratike, sikurse janë zgjedhjet e ardhshme”, tha Rohde.

Rohde iu referua Marrëveshjes së vitit 2013 për themelimin e Asociacionit dhe Marrëveshjes së Ohrit të arritur më 2023. Kosova ende nuk e ka themeluar Asociacionin, ndërkaq Marrëveshja e Ohrit – që po ashtu parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë – ende nuk është zbatuar.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i reagoi Rohdes, duke e akuzuar atë se nuk kishte reaguar "për sulmet ndaj serbëve, ndaj ndërhyrjeve në institucionet tona", duke shtuar se diplomati gjerman nuk ka paraqitur "asnjë provë" për pretendime të tij dhe ka interpretuar "në mënyrë dashakeqe marrëveshjet ekzistuese".

"Kryetari Ellek ka thënë të vërtetën, dhe ambasadori në largim duhet të tregojë një nen të marrëveshjes që flet për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës. Do të kishte qenë shumë më mirë që këto rreshta t’ia kushtonte dënimit të maltretimit dhe shtypjes së serbëve, sesa përpjekjes për t’u përfshirë në fushatën për zgjedhjet lokale", tha Simiq përmes një postimi në rrjetet sociale.

Çfarë tha Lista Serbe? Më 18 shtator, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se “të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare flasin qartë se këto janë sisteme të ndara”.

Të gjitha institucionet shëndetësore në mjediset serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista Serbe tha se shëndetësia dhe arsimi janë “shtyllat e mbijetesës së popullit serb dhe ashtu do të mbeten”.

Ndërkaq, kreu i Listës Serbe, Zllatan Ellek, gjatë një proteste të mbajtur të premten përsëriti qëndrimin e partisë se nuk do të ketë asnjë integrim të sistemit shëndetësor e arsimor të Serbisë në sistemin e Kosovës, duke shtuar se një gjë e tillë nuk është paraparë në asnjë marrëveshje ndërkombëtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

Por, Kosova po punon që këto institucione të integrohen në një sistem të vetëm, pohoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi më 18 shtator.

Autoritetet e Kosovës javën e kaluar e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut, me arsyetimin se ky institucion nuk kishte dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë.

Njëkohësisht u pezullua edhe puna e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Këto vendime nxitën reagime nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian, të cilët i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës të përmbahen menjëherë nga “shënjestrimi” i institucioneve shëndetësore që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Ato kërkuan të mos ndërmerren hapa të njëanshëm, duke theksuar se është e domosdoshme konsultimi me komunitetin serb.

Pas këtyre reagimeve, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, mohoi se Prishtina zyrtare synon mbylljen e institucioneve shëndetësore, duke theksuar se inspektorët lokalë kishin ndërprerë “përkohësisht” punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë paralele dhe të jashtëligjshme institucionet e Serbisë në Kosovë. Mbyllja e tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, por këto veprime kanë hasur në kundërshtim të komunitetit serb dhe janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, më 4 shtator deklaroi për një grup mediash që raportojnë në gjuhën serbe se të gjitha institucionet paralele të Serbisë, përfshirë ato arsimore dhe shëndetësore, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.















Музыкальные новости






















СМИ24.net — правдивые новости, непрерывно 24/7 на русском языке с ежеминутным обновлением *