Shefi i Pentagonit: Ushtria amerikane duhet t’iu japë fund “dekadave të kalbjes”
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka deklaruar të martën në një takim të rrallë me shefat ushtarakë të mbledhur nga të gjitha bazat ushtarake amerikane në botë se ushtria amerikane do të reformohet për t’iu dhënë fund atyre që i ka përshkruar si “dekada të kalbjes”.
Duke folur para qindra gjeneralëve dhe admiralëve në Virxhinia, Hegseth e ka shpallur përfundimin e “mbeturinave ideologjike” përfshirë aty shqetësimet për çështje sikurse ndryshimet klimatike, ngacmimet, liderët “toksikë”, si dhe promovimet në grada më të larta ushtarake bazuar në racë dhe gjini.
"Ushtria është detyruar nga politikanë të pamatur që të përqendrohet në gjërat e gabuara. Por, jo më”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë përgjatë fjalimit se ushtria do t’iu kërkojë pjesëtarëve të vet t’i përmbushin “standardet më të larta mashkullore” në testet fizike, dhe e ka pranuar se ky vendim mund t’i përjashtojë disa gra nga shërbimi.
“Standardet duhet të jenë uniforme, neutrale sa i përket gjinisë dhe të larta”, ka thënë Hegseth.
Ai ka paralajmëruar ndryshime edhe më të mëdha në udhëheqësi.
Qëndrimet e tij janë përkrahur nga presidenti amerikan, Donlad Trump, i cili gjithashtu ka folur para zyrtarëve të lartë ushtarakë.
Ai e ka nisur fjalimin duke thënë me shaka se nuk ka hyrë asnjëherë “në një dhomë më të heshtur”.
“Së bashku do ta rizgjojmë shpirtin e luftëtarit. Ai shpirt ka fituar dhe e ka ndërtuar këtë komb”.
Presidenti amerikan i ka përmendur arritjet e ushtrisë amerikane, duke përmendur edhe ndaljen e disa luftëtarëve në botë përgjatë mandatit të tij të dytë presidencial.
Ai ka thënë se shpreson që do ta ndalë edhe konfliktin e tetë, nëse Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – do të pranojë një propozim për ndalje të luftës në Gazë.
Izraeli tashmë është pajtuar me planin e Trumpit.