Katër të plagosur gjatë një incidenti afër një sinagoge në Mançester
Policia britanike tha se katër persona janë plagosur pasi një makinë raportohet se u përplas me këmbësorët dhe therri me thikë njerëz afër një sinagoge në Mançester, në veriperëndim të Anglisë. Autoritetet thanë se policia e qëlloi të dyshuarin.
Policia në Mançester tha se zyrtarët pranuan informacion për një incident në Sinagogën e Kongregacionit Hebraik Heaton Park në Krumpsall, në veri të Mançesterit, pasi një dëshmitar tha se kishte parë një makinë që u përplas me turmën e njerëzve dhe se një person ishte goditur me thikë.
Policia tha se zyrtarët qëlluan një person që besohet se është i dyshuari.
Në vendngjarje janë parë forca të shtuara të policisë, ndërkaq po ashtu janë parë edhe ekipe të emergjencave.
“Ekipet shëndetësore kanë arritur në vendngjarje ... dhe po përkujdesen për qytetarët. Aktualisht katër qytetarë kanë plagë të shkaktuara si nga makina, por edhe nga therja”, tha policia përmes një postimi në X.
Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaqi policinë duke e qëlluar një person brenda perimetrit të sinagogës, ndërsa një tjetër i plagosur u pa i shtrirë dhe dukej se kishte të veshur rroba tradicionale hebraike.
“Jam i tmerruar nga sulmi në sinagogën në Krumpsall”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes një postimi në X.
Për shkak të kësaj ngjarje, ai ndërpreu pjesëmarrjen në samitin e Komunitetit Evropian Politik.
“Fakti që kjo ndodhi në Jom Kipur, në ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik, e bën këtë ngjarje edhe më të tmerrshme”, shtoi Starmer.
Ndërkaq, kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, tha se ky ishte një incident serioz.
“U bëj thirrje njerëzve që të shmangin këtë zonë. Ky është incident serioz, por në të njëjtën kohë mund t’iu japim siguri njerëzve se rreziku duket se ka kaluar dhe se policia në Mançester e ka trajtuar shumë shpejt” këtë rast, tha ai për radion BBC.
Jom Kipuri është dita më e shenjtë në kalendarin hebraik kur besimtarët shkojnë në sinagoga për t'u lutur.
Vitin e kaluar, Britania shënoi më shumë se 3.500 incidente antisemitike. Këto incidente u rritën pas nisjes së luftës në Gazë më 7 tetor 2023, kur Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja - sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në enklavën palestineze.
Britania po ashtu ka përjetuar një sërë sulmesh të kryera nga militantët islamikë që nga sulmet terroriste më 11 shtator 2001 në SHBA.
Më 2017, një sulm vetëvrasës me bombë ndodhi gjatë koncertit të Ariana Grande në Mançester.
Po ashtu, viteve të fundit policia ka paralajmëruar lidhur me kërcënimin e terrorizmit nga ekstremi i djathtë.