Kushtetuesja e RS-së: Referendumi për Dodikun nuk cenon interesin vital të boshnjakëve
Këshilli për mbrojtjen e interesit jetik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës Sërpska (RS) ka vendosur se vendimi për referendumin mbi aktgjykimin kundër Millorad Dodikut dhe heqjen e mandatit të tij si president i entitetit, nuk e cenon interesin vital kombëtar të popullit boshnjak.
Gjykata Kushtetuese e RS-së ka vendosur mbi kërkesën e boshnjakëve në Këshillin e Popujve të entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.
Gjykata konstatoi se deklarata e Klubit të delegatëve të popullit boshnjak në Këshillin e Popujve të RS-së, që shpreh shqetësime dhe supozime rreth pasojave të mundshme që rezultati i referendumit dhe zbatimi i tij mund të kenë për popullin boshnjak, si edhe për diskriminimin potencial, “nuk janë juridikisht të rëndësishme për çështjen e shkeljes së interesit vital kombëtar”.
Vendimin për mbajtjen e referendumit e miratoi Kuvendi Popullor i RS-së më 22 gusht, pas aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës dhe vendimit të Komisionit Qendror të zgjedhjeve për t’ia marrë mandatin Dodikut.
Mandati iu hoq zyrtarisht në mesin e muajit gusht pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi Dodikun me vendim të formës së prerë me një vit burg për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë – dënim që ai e shleu me pagesë – si dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike dhe politike.
Me njërin nga përfundimet e miratuara në Kuvendin e RS-së është paraparë që referendumi të mbahet më 25 tetor të këtij viti.
Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës nuk e parasheh mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të njëanshme referendume për vendimet e institucioneve shtetërore.
Nivelet më të ulëta të pushtetit në Bosnjë e Hercegovinë ligjërisht mund të shpallin referendum vetëm për çështje që janë në kompetencat e tyre, por jo për ato shtetërore.
Ndryshe, vendimi për referendumin më 22 gusht u shoqërua edhe me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për referendumin dhe nismën qytetare me procedurë të përshpejtuar, të cilat do t’i mundësonin Kuvendit të RS-së të formojë komisione të posaçme për referendume.
Klubi i Boshnjakëve në Këshill, më 29 gusht e inicioi procedurën për mbrojtjen e interesit kombëtar për shkak të këtij vendimi.
Gjithashtu, për këtë Klub problematike janë edhe ndryshimet në Ligjin e referendumit të RS-së, të cilat parashohin që referendumin mund ta realizojë edhe një komision ad-hoc që emërohet nga Parlamenti i entitetit.
Pas kësaj, Këshilli i Popujve të Republikës Sërpska nuk e miratoi veton e Klubit të Boshnjakëve, pas së cilës, vendimi për referendumin përfundoi para Gjykatës Kushtetuese të RS-së.