Добавить новость
smi24.net
World News in Albanian
Декабрь
2025
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28
29
30
31

Izraeli bëhet vendi i parë që njeh zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur

0

Izraeli u bë të premten vendi i parë që e njeh zyrtarisht republikën e vetëshpallur të Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran. Ky vendim mund t’i ndryshojë dinamikat rajonale dhe ta vërë në provë Somalinë, e cila përherë e ka kundërshtuar ndarjen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli do të kërkojë bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në bujqësi, shëndetësi, teknologji dhe ekonomi.

Në një deklaratë, ai e përgëzoi presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, vlerësoi udhëheqjen e tij dhe e ftoi atë për një vizitë në Izrael.

Netanyahu tha se deklarata “është në frymën e Akordeve të Abrahamit, të nënshkruara me nismën e presidentit Trump”.

Akordet e vitit 2020 u ndërmjetësuan nga administrata e parë e Trumpit dhe përfshinin formalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin, ndërsa vende të tjera iu bashkuan më vonë.

Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit nënshkruan një deklaratë të përbashkët për njohje të ndërsjellë, thuhet në deklaratën izraelite.

Abdullahi tha në një deklaratë se Somaliland do t’i bashkohet Akordeve të Abrahamit, duke e quajtur këtë hap drejt paqes rajonale dhe globale.

Ai tha se Somaliland është i përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve, rritjen e prosperitetit të ndërsjellë dhe promovimin e stabilitetit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Ndërkohë, Egjipti tha se ministri i Jashtëm Badr Abdelatty zhvilloi të premten biseda telefonike me homologët e tij nga Somalia, Turqia dhe Xhibuti për të biseduar për “zhvillimet e rrezikshme” në Bririn e Afrikës pas njoftimit të Izraelit.

Ministrat dënuan njohjen e Somalilandit nga Izraeli, riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë për unitetin dhe integritetin territorial të Somalisë dhe paralajmëruan se njohja e rajoneve separatiste përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, tha Ministria e Jashtme e Egjiptit.

Somalilandi ka gëzuar autonomi, si dhe paqe dhe stabilitet relativ, që nga viti 1991, kur Somalia u zhyt në luftë civile, por rajoni i shkëputur nuk ka arritur ta sigurojë asnjë njohje.

Gjatë viteve, Somalia ka punuar me aktorë ndërkombëtarë kundër njohjes së Somalilandit.

Ish-protektorati britanik shpreson se njohja nga Izraeli do t’i nxisë edhe shtetet e tjera ta ndjekin të njëjtin shembull, duke rritur peshën e tij diplomatike dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare.















Музыкальные новости






















СМИ24.net — правдивые новости, непрерывно 24/7 на русском языке с ежеминутным обновлением *