Përfundon gati gjysma e rinumërimit, rritet numri i fletëvotimeve me gabime
Në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që supozohet t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit, ky proces tashmë ka përfunduar.
Ky rinumërim i i një të tretës së vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nisi më 13 janar, pasi u vërejten dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe se tani fillimisht do të vazhdojë me rinumërimin në Prizren dhe pastaj me komunat e tjera.
Në Prizren deri tash janë numëruar 172 nga 235 vendvotime dhe kjo komunë prin dukshëm me numrin e fletëvotimeve me gabime.
Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.
Kur ishin numëruar pak më shumë se 200 vendvotime, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, kishte llogaritur se ndryshimet arrijnë në gati 15 mijë vota ndryshim dhe, sipas një postimi të tij në rrjetin Facebook, më së shumti ndryshime ka lista e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë”, shkroi Cakolli.
Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.
Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.
Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.
Cakolli kishte thënë më herët gjatë javës se procesi i numërimit nuk përcillet me kontrolle të hollësishme të fletëvotimeve, duke mundësuar kështu manipulimet, dhe se në këtë ka ndikuar edhe fakti që numërimi ishte realizuar në kohë festash.
Sipas Çohu dhe Cakollit, mënyra të tilla të keqpërdorimit janë vërejtur në pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë dhe se zgjidhja për këtë problem do të ishte skanimi teknologjik i fletëvotimeve në vend të numërimit tradicional nga zyrtarët.
Cilat janë pasojat?Së voni, Organizata joqeveritare Çohu ka publikuar një hulumtim që tregon se mbi 90 për qind e rasteve për manipulimet zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose me gjoba.
Kjo do të thotë se nëse ndonjë zyrtar vërtetohet se ka manipuluar votat gjatë numërimit, ai ka pak gjasa të ndëshkohet me burg për këtë gjë.
Por, pasojat mund të jenë më të mëdha për institucionet, pasi rinumërimi, i cili pritet të zgjasë deri në dy javë, mund ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja, në një kohë delikate për institucionet.
Kuvendi i ri duhet të nxitojë për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare financiare për vendin, si dhe ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, para se Vjosa Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.
Këto afate mund të bëhen edhe më vështirë të arritshme nëse vendoset për rinumërim të plotë - gjë që megjithatë sipas Cakollit mbetet opsioni më i mire tani që është vërtetuar se ka pasur shumë ndryshime në vota gjatë numërimit në qendra komunale,.
Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.
