Izraeli pretendon se e ka vrarë shefin iranian të sigurisë, Ali Larijani
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz ka pretenduar të martën se shefi i sigurisë i Iranit, Ali Larijani është vrarë në një sulm ajror në Teheran.
Ende nuk është publikuar asnjë provë që e vërteton këtë pretendim.
Nëse konfirmohet, atëherë Larijani do të jetë figura më e lartë shtetërore që vritet pas vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, më 28 shkurt, në ditën e parë të sulmeve ajrore të forcave ushtarake amerikane dhe izraelite kundër Iranit.
Irani ka bërë përpjekje që ta hedhë poshtë këtë deklaratë, duke e publikuar atë që është thënë të jetë një dorëshkrim i Larijanit i 17 marsit. Fotografia e dorëshkrimit të tij është publikuar edhe në llogarinë e Larijanit në X – dikur Twitter.
Lajmi për Larijanin ka ardhur pasi ushtria izraelite ka pretenduar se e ka vrarë edhe Gholamreza Soleimanin, komandantin e forcës paramilitare të Iranit, Basij, në valën e njëjtë të sulmeve ajrore ndaj Teheranit më 16 mars.
Kjo deklaratë nuk është mohuar dhe as konfirmuar nga autoritetet iraniane.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu e ka publikuar një fotografi të udhëheqësit shtetëror me përshkrimin: "Kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëron eliminimin e figurave të larta të regjimit iranian".
Ofensivës amerikano-izraelite ndaj Iranit, tashmë në javën e tretë, nuk duket se do t'i ulet intensiteti, pasi sirenat ajrore janë dëgjuar në disa lokacione të Lindjes së Mesme më 17 mars.
Ushtria izraelite ka thënë se është duke shënjestruar “infrastrukturën e regjimit iranian” në valën e fundit të sulmeve nëpër Teheran, si dhe qendrat e lidhura me grupin Hezbollah, të përkrahur nga Irani, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.
Ndërkohë, Irani ka vazhduar të lëshojë raketa dhe dronë nëpër Lindje të Mesme, duke pasur në shënjestër edhe Izraelin.
Ngushtica e Hormuzit – nëpër të cilën kalon një e pesta e transporteve botërore të naftës – vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të sulmeve kundër anijeve.
Një dron iranian dhe një raketë është raportuar ta ketë shënjestruar Ambasadën amerikane në Bagdad, sipas zyrtarëve të sigurisë, njëri prej të cilëve i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se “të paktën një dron” është rrëzuar në kompleksin e ambasadës.
Një dron iranian e ka goditur edhe kompleksin e naftës Fujairah në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shkaktuar zjarr por jo të plagosur, kanë thënë autoritetet lokale më 17 mars.
Për shpërthime është raportuar edhe në Doha, ndonëse Katari ka arritur t’i rrëzojë raketat në ajër.
Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje shteteve në gjithë botën që të ndihmojnë në rihapjen e rrugëve detare për transport të naftës, por disa shtete veç kanë shprehur hezitim.
Sulmet e Iranit ndaj shteteve lidere për prodhim të naftës së papërpunuar nëpër rajonin e Gjirit kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë në shumë shtete.
